Kampionati Evropian i Esports 2025

Për pesë ditë, Kosova ishte epiqendër e Evropës, duke qenë mikpritëse e suksesshme e Kampionatit Evropian të Esports.

Nga data 9 deri më 13 korrik, salla “1 Tetori” në Prishtinë u mbush me qindra tifozë, profesionistë dhe entuziastë të lojërave elektronike, ndërsa 24 shtete evropiane garuan për titullin e kampionit të Evropës.

Kosova u ndal në çerekfinale, pasi u mposht nga Lituania, fituesja e Evropianit në “Counter Strike 2”.

Në finalen e madhe, Lituania mposhti Ukrainën, e cila zuri vendin e dytë. Vendi i tretë i takoi Gjermanisë.

Maqedonia e Veriut fitoi Evropianin në “Dota 2”, pasi në finalen e madhe mposhti Bjellorusinë.

Përveç garave të forta, vëmendje të madhe mori edhe organizimi i kampionatit. Nga infrastruktura teknike, ambienti mikpritës dhe kushtet optimale për garuesit, deri te përfshirja e mediave, gjithçka u zhvillua në mënyrë profesionale dhe me standarde ndërkombëtare.

Federata e Esports të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë, u vlerësua për përkushtimin dhe nivelin e lartë të organizimit.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Federatës Ndërkombëtare të Esports, Federatës Evropiane të Esports dhe liderë institucionalë.

Shumë delegacione të huaja u shprehën të impresionuara nga niveli i organizimit.

Faleminderit për përkrahjen institucioneve dhe sponsorëve.