Rreth 60 lojtarë nga 11 ekipe morën pjesë në Kampionatin Shtetëror të Kosovës për juniorë në “Counter-Strike 2”, ngjarje e organizuar nga Federata Esports Kosova, e cila u zhvillua në qendrën e trajnimit FESK ESPORTS HUB në Prishtinë.
Pas tetë orësh garash intensive, të karakterizuara nga përkushtimi, profesionalizmi dhe rivaliteti i lartë mes ekipeve, titulli i kampionit iu takua ekipit “6SIDUS”, të përbërë nga Orgesi, Rioni, Arlindi, Blerti dhe Dioni, të cilët siguruan vendin e parë.
Vendin e dytë e fitoi ekipi “Vushtrria Team”, i përfaqësuar nga Ylli, Gzimi, Joni, Edoni dhe Bardhi. Ndërsa vendi i tretë iu takua ekipit “Xportal”, me lojtarët Auroni, Korabi, Amari, Driloni dhe Erioni.
Ky kampionat shërbeu si një platformë e rëndësishme për zbulimin dhe promovimin e talenteve të rinj në esports, duke kontribuar në zhvillimin e garës profesionale dhe krijimin e mundësive për avancimin e tyre në skenën vendore dhe ndërkombëtare. Gjatë këtij aktiviteti u identifikuan edhe talentet e së ardhmes, të cilët do të kenë mundësinë ta përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare.
Federata Esports Kosova falënderon sponsorët Ujë Rugove dhe Golden Eagle për mbështetjen e dhënë në organizimin e këtij kampionati dhe për kontributin e tyre në zhvillimin e esports në Kosovë.